Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, pas pjesëmarrjes në takimin e thirrur nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, me krerët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend.
Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja mbetet e qëndrueshme në bindjen se në Kosovë nuk ekziston një shumicë parlamentare funksionale, duke kërkuar që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Në Kosovë, sipas rezultatit të 9 shkurtit, nuk ka shumicë parlamentare. Ndonëse na u humbën 8 muaj kohë për ta kuptuar këtë gjë, ja ku jemi sërish në vendin e njëjtë,” ka shkruar ai.
Kreu i LDK-së ka ironizuar faktin që në takim është diskutuar për “tranzicion qeverisës dhe unitet qeverisës”, duke kujtuar se LDK e kishte propozuar një Qeveri Uniteti me një plan 15-pikësh që ishte “hedhur poshtë dhe përqeshur” më herët.
“Sot kërkohet guxim politik që të pranohet një fakt i thjeshtë; se në Kuvendin e Kosovës nuk ka shumicë. Askush nuk po arrin ta krijojë shumicën. Prandaj, jemi vonë – vonë për lojëra politike,” ka shkruar Abdixhiku.
Sipas tij, zgjedhjet e reja janë alternativa e vetme për të dalë nga ngërçi aktual politik. Ai ka kërkuar që të respektohen qëndrimet e të gjitha partive dhe, përmes tyre, vullneti i popullit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
“LDK pret të respektohet qëndrimi i të gjitha partive, nëpërmjet tyre dhe popullit të Kosovës, dhe me këtë të respektohet Kushtetuta e Republikës,” ka përfunduar Abdixhiku.

