Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, duke u dhënë grave me diagnoza të caktuara gjinekologjike të drejtën për dy ditë leje të paguar çdo muaj për shkak të dhimbjeve menstruale.
Ndryshimet ligjore u miratuan nga deputetët malazezë dhe synojnë të ofrojnë mbështetje për gratë që vuajnë nga dismenorrea sekondare, një formë e menstruacioneve të dhimbshme e shkaktuar nga sëmundje ose gjendje të diagnostikuara mjekësore.
Kush përfiton?
E drejta nuk zbatohet për të gjitha gratë, por vetëm për ato që kanë një diagnozë të konfirmuar nga mjeku specialist për dismenorre sekondare, e lidhur me patologji si:
- Endometrioza;
- Miomat e mitrës;
- Polipet endometriale;
- Inflamacionet e vezoreve;
- Sindroma e vezoreve policistike (PCOS);
- Gjendje të tjera që shkaktojnë dhimbje të forta, gjakderdhje të shtuar ose komplikime gjinekologjike.
Si do të zbatohet masa?
Sipas ligjit të ri, gratë e diagnostikuara do të kenë të drejtë në dy ditë pushim mjekësor të paguar në muaj.
Diagnoza duhet të vendoset nga një mjek specialist, ndërsa certifikata mjekësore duhet të rinovohet çdo vit, jo më vonë se 31 dhjetori, dhe t’i dorëzohet punëdhënësit deri më 30 janar të vitit pasues.
Synimi i ndryshimeve
Në arsyetimin e projektligjit thuhet se ndryshimet synojnë:
- mbrojtjen e shëndetit të grave;
- eliminimin e paragjykimeve dhe diskriminimit në vendin e punës;
- krijimin e një ekuilibri mes nevojave shëndetësore dhe detyrimeve profesionale.
Ligji e trajton dismenorrenë sekondare si një gjendje të veçantë të paaftësisë së përkohshme për punë, duke njohur ndikimin që sëmundjet gjinekologjike mund të kenë në aftësinë për të punuar.
Iniciativa u propozua në mars
Nisma për ndryshimin e ligjit u paraqit në muajin mars nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejović, në prag të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Projektligji mori më herët mbështetjen unanime të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe të Komisionit Legjislativ, përpara se të miratohej nga Parlamenti.
Me këtë vendim, Mali i Zi i bashkohet numrit në rritje të vendeve që po njohin ligjërisht nevojën për mbështetje specifike ndaj grave që vuajnë nga çrregullime menstruale të lidhura me sëmundje të diagnostikuara.

