Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. Takimi është zhvilluar në një atmosferë miqësore, ku në fokus ishte siguria kombëtare, stabiliteti rajonal dhe bashkëpunimi mes forcave të armatosura të dy vendeve.
Maqedonci ka theksuar se FSK-ja po rrit kapacitetet e saj dhe se partneriteti me Gjermaninë mbetet shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e ushtrisë dhe mbrojtjen e vendit.
“Falënderova ambasadorin Rudolph për mbështetjen e gjatë të shtetit gjerman ndaj Kosovës dhe praninë e trupave gjermane në KFOR. Kjo është dëshmi e besimit dhe e miqësisë sonë strategjike,” – shkroi Maqedonci në Facebook.
Nga ana e tij, ambasadori gjerman ka vlerësuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për siguri dhe stabilitet në rajon, duke theksuar se Berlini do të vazhdojë të qëndrojë pranë Prishtinës në fushën e mbrojtjes dhe integrimit euroatlantik.
Takimi konfirmon edhe njëherë se partneriteti Kosovë–Gjermani po hyn në një fazë të re bashkëpunimi, ku fokusi mbetet ndërtimi i një infrastrukture moderne të sigurisë.

