Kaja Kallas po përballet me një tjetër kundërshtare politike. Udhëheqësja franceze e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, synon të zvogëlojë ndjeshëm, madje edhe të çmontojë krahun diplomatik të Bashkimit Evropian, nëse fiton zgjedhjet presidenciale në Francë në vitin 2027.
Sipas katër zyrtarëve të Tubimit Kombëtar, partisë së Le Penit, kjo nismë lidhet me bindjen se Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), i drejtuar nga Kaja Kallas, ka kompetenca të tepërta dhe ndërhyn në diplomacinë që duhet të zhvillohet nga vetë shtetet anëtare.
Charles-Henri Gallois, këshilltar i presidentit të Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, deklaroi se ndikimi i Kallas është i kufizuar dhe se ajo po dyfishon punën diplomatike të vendeve anëtare. Sipas tij, as SHBA-ja dhe as Kina nuk e njohin legjitimitetin e saj.
Përplasjet për politikën e jashtme dhe Ukrainën
Qëndrimet e Le Penit vijnë në një kohë tensionesh të shtuara për ndarjen e kompetencave mes institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare. Partitë nacionaliste në disa vende evropiane kërkojnë që vendimmarrja për politikën e jashtme të rikthehet më shumë në nivel kombëtar.
Një nga çështjet ku dallimet mes Kallas dhe Le Pen janë më të dukshme është lufta në Ukrainë. Kallas është ndër kritiket më të ashpra të presidentit rus Vladimir Putin dhe mbështetëse e vendosur e Ukrainës dhe presidentit Volodymyr Zelensky.
Ndërkaq, Le Pen kërkon organizimin e një konference ndërkombëtare për paqe dhe ka deklaruar se Evropa nuk ka më mjete financiare për të vazhduar ndihmën ndaj Kievit.
Eurodeputeti i Tubimit Kombëtar, Jean-Paul Garraud, kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur nga Kallas për Ukrainën, duke thënë se partia e tij e mbështet Ukrainën, por nuk do të përdorte një retorikë që, sipas tij, mund ta çonte Evropën drejt një përballjeje të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Le Pen kërkon kufizimin e kompetencave të Brukselit
Le Pen i ka drejtuar kritikat më të ashpra ndaj presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilën e akuzon për tejkalim të kompetencave. Megjithatë, planet e Tubimit Kombëtar mund të prekin drejtpërdrejt edhe shërbimin diplomatik të drejtuar nga Kallas.
Gjatë një vizite të fundit në Bruksel, Le Pen deklaroi se Franca nuk do të pranojë më që Komisioni Evropian të ushtrojë kompetenca diplomatike, e aq më pak kompetenca ushtarake apo të inteligjencës.
Sipas zyrtarëve të partisë, kjo do të nënkuptonte edhe shkurtimin e ndjeshëm të rolit të EEAS-it.
Nga ana tjetër, eurodeputeti irlandez Barry Andrews paralajmëroi se Franca nuk mund të përballet e vetme me fuqitë si SHBA-ja dhe Kina pa bashkëpunimin evropian.
Edhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm reagoi ndaj kritikave, duke deklaruar se diplomacia e BE-së mbron interesat e të gjitha vendeve anëtare, përfshirë Francën, ndërsa rrjeti global i delegacioneve të saj përbën një aset strategjik.
Përplasja për buxhetin e BE-së
Një tjetër pikë konflikti pritet të jetë kontributi financiar i Francës në buxhetin e Bashkimit Evropian.
Muajin e kaluar, Tubimi Kombëtar prezantoi planin për të ulur me 11 miliardë euro kontributin e Francës për vitin 2027. Aktualisht, ky kontribut pritet të jetë rreth 30 miliardë euro.
Sipas të dhënave të sondazheve të publikuara nga POLITICO, Le Pen regjistron 34 për qind të mbështetjes në raundin e parë, përpara Jean-Luc Mélenchon me 17 për qind dhe Édouard Philippe me 16 për qind.
Franca nuk mund ta shkurtojë në mënyrë të njëanshme buxhetin e shërbimit diplomatik të BE-së, por Tubimi Kombëtar shpreson të gjejë mbështetje edhe te forcat politike nacionaliste në Itali, Spanjë dhe Republikën Çeke.
Edhe vetë BE-ja po shqyrton reforma
Debati për të ardhmen e EEAS-it nuk kufizohet vetëm te kërkesat e Le Penit. Franca dhe Gjermania kanë paraqitur propozime për reformimin e shërbimit diplomatik, duke sugjeruar integrimin e tij më të madh me Komisionin Evropian.
Ndërkohë, në Bruksel po shqyrtohen edhe mundësitë për shkurtime të buxhetit të politikës së jashtme të BE-së. Sipas POLITICO-s, disa skenarë të brendshëm parashikojnë uljen deri në 40 për qind të fondeve për programin “Evropa Globale” në buxhetin e ardhshëm afatgjatë.
EEAS ka një buxhet vjetor prej afro një miliard eurosh dhe punëson më shumë se 5,200 persona në nivel global. Shkurtimet e mëdha mund të prekin edhe rrjetin e mbi 100 delegacioneve të BE-së në vende të ndryshme të botës.
Në këtë kohë, vetë shërbimi diplomatik po përgatit reforma të brendshme, të cilat pritet t’i prezantohen stafit më vonë gjatë këtij muaji.

