Pishina e Gërmisë është mbyllur përkohësisht me kërkesë të Inspektoratit Sanitar, deri në përfundimin e analizave laboratorike të ujit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga ndërmarrja Sport Marketing, e cila ka sqaruar se kontrolli i cilësisë së ujit dhe matja e parametrave përkatës kryhen rregullisht, në përputhje me standardet dhe procedurat e mirëmbajtjes.
Sipas njoftimit, gjendja e përgjithshme e Pishinës së Gërmisë vlerësohet e mirë, si për sa i përket cilësisë së ujit, ashtu edhe kushteve të ambienteve.
“Megjithatë, duke marrë parasysh rregullat dhe procedurat e IKSHPK-së për pishinat publike, si dhe për hir të transparencës dhe korrektësisë ndaj qytetarëve, do të presim rezultatet zyrtare nga Instituti para vazhdimit të punës”, thuhet në reagimin e ndërmarrjes.
Sport Marketing theksoi se do të respektojë çdo vendim të institucioneve përgjegjëse, duke vënë në plan të parë sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve.
Pas përfundimit të analizave dhe publikimit të rezultateve zyrtare nga IKSHPK-ja, ndërmarrja do të njoftojë opinionin për datën e rihapjes së Pishinës së Gërmisë.

