Sezoni ngrohës 2025/2026 në Prishtinë është mbyllur zyrtarisht pas 191 ditësh furnizimi të pandërprerë, duke u cilësuar si një ndër më të suksesshmit në historinë e ndërmarrjes Termokos.
Sipas njoftimit, mbi 25 mijë konsumatorë kanë përfituar nga furnizimi i qëndrueshëm me energji termike, ndërsa vendimi për përfundimin e sezonit është marrë në përputhje me rregulloren e ZRRE dhe bazuar në parashikimet meteorologjike.
Ky sezon shënoi një rekord të ri, pasi ngrohja nisi 8 ditë më herët se zakonisht dhe u zhvillua pa asnjë ndërprerje. Gjatë kësaj periudhe janë prodhuar gjithsej 338.902 MWh energji termike, duke garantuar cilësi dhe stabilitet në furnizim.
Një tjetër element pozitiv ishte ndikimi në faturat e qytetarëve. Falë metodës së faturimit sipas konsumit dhe përmirësimeve në shërbim, mbi 60 për qind e konsumatorëve kanë paguar më pak, ndërsa numri i ankesave ka rënë me rreth 70 për qind krahasuar me sezonin paraprak.
Nga ndërmarrja theksohet se këto rezultate janë arritur përmes menaxhimit efikas dhe angazhimit të stafit, ndërsa paralajmërohet vazhdimi i investimeve gjatë verës. Fokus do të mbetet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes, rritja e kapaciteteve dhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm, me synimin që shërbimi të përfshijë edhe më shumë qytetarë.

