Paneli Vlerësues për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ka mbajtur sot takim për mbarëvajtjen e procesit të konkursit dhe ka caktuar datën dhe orarin zyrtar të intervistimit të kandidatëve.
Takimi u udhëhoq nga kryesuesi i panelit, Arian Gashi, me pjesëmarrjen e anëtares Elza Bajrami-Kastrati, ndërsa anëtari Visar Krasniqi mori pjesë përmes platformës Zoom.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, intervistat për kandidatët që synojnë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit do të zhvillohen më 1 korrik 2026 në objektin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Paneli Vlerësues do të nisë hartimin e pyetjeve standarde nga ora 08:00, ndërsa intervistat do të fillojnë nga ora 11:00 në sallën e takimeve në katin e gjashtë të KPK-së.
Orari i intervistave
- Atdhe Dema – ora 11:00
Pauzë: 12:00 – 13:00
- Naim Abazi – ora 13:00
- Rafet Halimi – ora 14:15
- Shqipdon Fazliu – ora 15:30
- Zejnulla Gashi – ora 16:45
KPK ka njoftuar se të gjithë të interesuarit për monitorimin e procesit duhet të respektojnë rregullat dhe oraret e përcaktuara, ndërsa për shkak të hapësirës së kufizuar, organizatat dhe institucionet duhet të konfirmojnë një përfaqësues përmes Zyrës për Komunikim Publik deri më 26 qershor 2026.

