Në këtë proces janë të përfshirë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Çfarë përmban aktakuza?
Aktakuza fillestare ndaj pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025. Kjo është aktakuza aktualisht në fuqi.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, gjatë periudhës 12 prill 2023 – 2 nëntor 2023, në vizita të ndryshme në objektin e paraburgimit, Thaçi dyshohet se ka dhënë informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria në çështjen për krime lufte “Thaçi dhe të tjerët”. Sipas aktakuzës, ai i ka udhëzuar të pandehurit që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u ka dhënë udhëzime konkrete për mënyrën e veprimit.
Po ashtu, pretendohet se janë bashkërenduar tre grupe me qëllim ndërhyrjen në procesin gjyqësor dhe ndikimin mbi dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria.
Zhvillimet procedurale
-
Isni Kilaj u arrestua fillimisht më 2 nëntor 2023 dhe u lirua përkohësisht me kushte më 15 maj 2024.
-
Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u arrestuan dhe u transferuan në njësinë e paraburgimit në Hagë.
-
Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit, ndërsa Kuçit fletëthirrja për paraqitjen e parë.
-
Të pestë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Prokuroria dorëzoi dosjen paraprake më 19 shtator 2025, ndërsa mbrojtja paraqiti dosjet paraprake në tetor 2025. Çështja iu kalua për gjykim Gjykatësit të Vetëm më 12 nëntor 2025.
Në dhjetor 2025 dhe shkurt 2026, disa nga të akuzuarit janë liruar me kusht, ndërsa procesi vazhdon në Hagë.
Seanca e 27 shkurtit shënon hapjen formale të këtij gjykimi të dytë, paralel me procesin për krime lufte që po zhvillohet ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

