Gazeta gjermane Der Freitag ka publikuar një reportazh të gjatë për protestën e Dianа Hrkës në Beograd, e cila ka hyrë në grevë urie duke kërkuar drejtësi për vdekjen e djalit të saj, Stefan Hrka, i cili humbi jetën pas shembjes së mbulesës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku mbetën të vdekur edhe 15 persona të tjerë.
Në shkrim, autori Krsto Lazarević përshkruan skenën para Kuvendit të Serbisë, ku Hrka qëndron nën një tendë të bardhë, me një qiri të ndezur dhe një ikonë në duar. Ajo thotë se nuk do të hajë derisa të zbulohet përgjegjësia për tragjedinë.
“Dua të di kush e vrau djalin tim dhe 15 njerëz të tjerë. Kjo nuk ishte aksident. Ishte vrasje,” citohet të ketë thënë ajo.
Artikulli përshkruan edhe të ashtuquajturin “Ćacilend”, kampin e mbështetësve të pushtetit, ku sipas gazetës, veprojnë grupe të organizuara të afërta me partinë në pushtet, ndërsa policia qëndron pasive. Autori thotë se kjo skemë përdoret për të shmangur përplasjen direkte të policisë me protestuesit.
Në reportazh përmendet edhe marshimi masiv në Novi Sad, i cilësuar si një nga tubimet më të mëdha që qyteti ka parë ndonjëherë, ndërsa theksohen pengesat që, sipas protestuesve, u janë bërë rrugëve dhe transportit publik për të zvogëluar pjesëmarrjen.
Në fund të artikullit, autori citon fjalët e Dianës:
“Askush nuk mund të ma kthejë djalin. Por dua që asnjë nënë tjetër në Serbi të mos e përjetojë këtë.”
Ndërkohë, edhe mediat tjera gjermane, si Deutschlandfunk, NTV dhe Stern, kanë raportuar për tubimet paralelisht të organizuara në Beograd – një në mbështetje të Hrkës dhe një tjetër në mbështetje të presidentit Aleksandar Vuçiq. Ato theksojnë se policia deklaroi se në tubimin pro-qeveritar morën pjesë rreth 50 mijë persona, ndërsa rreth 3 mijë qytetarë ishin në mbështetje të Hrkës, me vlerësimin se shifrat zyrtare shpesh janë nën ato të vlerësimeve të pavarura./Qendra.INFO
