Gazetari Mero Baze ka reaguar në Facebook pas deklaratës së Presidentes Vjosa Osmani, e cila përmendi ekzistencën e “900 bandave kriminale” në Kosovë.
Në reagimin e tij, Baze e cilëson këtë deklaratë të papërgjegjshme dhe të dëmshme për reputacionin e vendit, duke theksuar se një shifër e tillë nuk qëndron fare.
Sipas tij, Kosova “nuk ka pasur kurrë 900 banda, as 90, madje as 9”, dhe një narrativë e tillë kriminalizon padrejtësisht vendin. Ai shton se edhe Serbia, pavarësisht strukturave të mëdha kriminale, nuk ka pretenduar ndonjëherë një shifër të tillë për Kosovën.
Baze paralajmëron se deklarata të tilla e ekspozojnë Kosovën si një vend shumë më kriminal se ç’është në realitet dhe dëmtojnë rëndë imazhin ndërkombëtar të shtetit.

