Gjatë vizitës së tij të parë si kancelar në Itali, Friedrich Merz shprehu mbështetjen për bashkëpunim më të vendosur kundër migrimit të parregullt në Bashkimin Evropian, duke përmendur modelin italian me Shqipërinë si një mundësi që duhet shqyrtuar.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Romë me kryeministren italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi nevojën për masa më të ashpra dhe koordinim më të mirë mes vendeve anëtare të BE-së për të frenuar fluksin e migrantëve të parregullt.
“Ramë dakord të angazhohemi më fort kundër migrimit të paligjshëm në BE,” u shpreh Merz të shtunën, duke vlerësuar iniciativat e Italisë në bashkëpunim me disa vende mesdhetare si “të suksesshme dhe të mbështetshme” edhe nga ana e Gjermanisë.
Merz theksoi se është i interesuar të verifikojë modelin italian me Shqipërinë, përmes të cilit Italia synon të zhvendosë procedurat e azilit për migrantët që kapen në Mesdhe, drejt kampeve të ndërtuara në territorin shqiptar.
Qendra në Shqipëri – bosh dhe ende e pazbatueshme
Megjithëse ideja është promovuar prej muajsh nga qeveria italiane, zbatimi i saj është penguar disa herë nga sistemi gjyqësor. Aktualisht, Gjykata Evropiane e Drejtësisë po shqyrton nëse ky trajtim i migrantëve përputhet me legjislacionin evropian. Deri tani, qendrat e ndërtuara në Shqipëri kanë mbetur bosh dhe modeli nuk është vënë në funksion.
Kancelari gjerman tha se, pavarësisht këtyre pengesave, zhvendosja e procedurave të azilit jashtë BE-së mbetet një opsion për t’u shqyrtuar, edhe pse nuk është një zgjidhje përfundimtare.
“Nuk është zgjidhja e problemit, por është një kontribut për ta bërë problemin më të vogël,” deklaroi ai.
Merz përfundoi duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të reformës evropiane të azilit, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të BE-së për të përballuar më me efikasitet sfidën e migracionit të parregullt. Ai theksoi se BE nuk mund të qëndrojë më pasive, duke bërë thirrje për vendime konkrete dhe të menjëhershme.