Mikhail Bogachek është propozuar për ambasador të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia e Bardhë, e cila ka publikuar emrin e Bogachekut në listën e kandidaturave të dërguara në Senatin amerikan për shqyrtim.
Bogachek është sipërmarrës me më shumë se 25 vjet përvojë në udhëheqjen e inovacionit në fushat e kujdesit shëndetësor, teknologjisë dhe qeverisjes.
Ai ka shërbyer si drejtor ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku ka pasur përgjegjësi për mbikëqyrjen e qeverisjes dhe integritetit të operacioneve institucionale.
Në këtë funksion, ai ka mbikëqyrur disa sektorë, përfshirë Shërbimet e Përgjithshme, Prokurimin dhe Mbikëqyrjen e Menaxhimit, Shërbimet Financiare, Burimet Njerëzore dhe Shërbimet e Teknologjisë së Informacionit. Gjithashtu, ka mbikëqyrur edhe Zyrën për Menaxhimin e Riskut.
Kandidatura e tij pritet të shqyrtohet nga Senati amerikan, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se në cilën mbledhje do të trajtohet propozimi.
Propozimi nuk nënkupton emërim përfundimtar, pasi kandidatura duhet të kalojë procedurën përkatëse të konfirmimit në Senat.
