Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë e ka cilësuar të rëndësishme vizitën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Serbi, duke theksuar se dialogu është gjithmonë i mirëpritur, veçanërisht kur krijon hapësirë për trajtimin e çështjeve të vështira me qartësi, përgjegjësi dhe vetëdije historike.
Në një reagim publik, Ministria thekson se Shqipëria qëndron fuqishëm në mbështetje të sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe perspektivës evropiane të Ukrainës, por njëkohësisht edhe të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe të integrimit të saj në familjen euroatlantike.
“Duhet të mos ketë asnjë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të krijuar një paralele ose për të vendosur një ekuacion mes Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht mashtruese”, thuhet në reagim.
Shqipëria: Rasti i Kosovës ka bazat e veta historike dhe juridike
Tirana thekson se çështja e Kosovës qëndron mbi bazat e veta historike, politike dhe juridike dhe nuk mund të trajtohet si ekuivalente me situata të tjera ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, Ministria i referohet edhe opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të dhënë në vitin 2010 me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas Tiranës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte e qartë në konstatimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në të kundërt, Shqipëria e cilëson agresionin rus ndaj Ukrainës si një çështje krejtësisht tjetër.
“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës përbën një shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, thekson Ministria.
Tirana: Pavarësia e Kosovës është pjesë e stabilitetit rajonal
Sipas Shqipërisë, një Ballkan Perëndimor paqësor, i qëndrueshëm dhe evropian kërkon pranimin e realitetit dhe të pakthyeshmërisë së pavarësisë së Kosovës.
Tirana vlerëson se pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje ku kufijtë nuk ndryshohen përmes forcës dhe ku popujt dhe komunitetet kanë mundësi të përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri.
Në këtë kuadër, Shqipëria rithekson qëndrimin se Kosova dhe Serbia i përkasin një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Normalizimi Kosovë–Serbi, drejt njohjes së ndërsjellë
Ministria shqiptare shprehet se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të çojë përfundimisht drejt njohjes së ndërsjellë.
Sipas Tiranës, një proces i tillë nuk do ta dobësonte Serbinë, por përkundrazi do ta ndihmonte atë të mbyllte një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së saj të afërt dhe të hapte rrugën drejt pajtimit të vërtetë, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe paqes së qëndrueshme.
“Ballkani Perëndimor ka nevojë për këtë energji pozitive sot, ndoshta më shumë se kurrë”, thuhet në reagim.
Vizita e Zelenskyt dhe marrëdhëniet Serbi–Ukrainë
Tirana vlerëson se vizita e Zelenskyt në Serbi i shërben, para së gjithash, interesave të Ukrainës, duke e konsideruar këtë një zhvillim të kuptueshëm dhe legjitim.
Megjithatë, Ministria shqiptare thekson se çdo hap që e largon Serbinë nga ndikimi rus dhe e afron atë me Evropën duhet të shihet si pozitiv.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria nënvizon se çdo angazhim diplomatik duhet të shërbejë edhe për një kuptim themelor: Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara dhe jo të kthehet pas.
Për Tiranën, rruga drejt një rajoni të qëndrueshëm kalon përmes respektimit të sovranitetit, dialogut, integrimit evropian dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve.

