Në Xhaminë e Irzniqit është zbuluar një pllakë përkujtimore në shenjë të ruajtjes së kujtesës historike për rolin që ky objekt fetar pati gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ceremonia përkujtimore u mbajt më 11 gusht 2026 dhe u përcoll nga qindra qytetarë, ndërsa në të morën pjesë personalitete nga jeta publike e shoqërore, përfaqësues të institucioneve, deputetë, publicistë dhe pjesëtarë të organizatave të ndryshme lokale e qendrore.
Xhamia e Irzniqit, e ndërtuar në vitin 1816, për më shumë se dy shekuj ka qenë një nga qendrat e rëndësishme të besimit, dijes dhe edukimit fetar në këtë fshat. Gjatë luftës së Kosovës, ajo u bë edhe pjesë e historisë së qëndresës së popullit të kësaj ane. Sipas Këshillit të Bashkësisë Islame në Deçan, nga prilli i vitit 1998, në mejtepin e xhamisë ishte vendosur Shtabi i UÇK-së për fshatin Irzniq, i udhëhequr nga komandanti Maxhun M. Çekaj, në kuadër të Zonës Operative të Dukagjinit.
Pllaka përkujtimore u zbulua nga komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneral Ramush Haradinaj, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Deçan, Naser ef. Tolaj, kryetari i fshatit Irzniq, Shaqir Daci, si dhe imami i Xhamisë së Irzniqit, Bedri ef. Kerolli.
Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Deçan, kolonel Avdyl Mushkolaj, organizatë nën patronatin e së cilës u zhvillua kjo veprimtari.
Historia e Xhamisë së Irzniqit lidhet edhe me një nga kapitujt më të dhimbshëm të luftës. Në shtator të vitit 1998, forcat serbe e dogjën dhe e shkatërruan tërësisht objektin, duke e kthyer në gërmadha një prej monumenteve të rëndësishme të jetës fetare të fshatit. Megjithatë, shkatërrimi i objektit nuk e fshiu kujtesën për rolin e tij në historinë e Irzniqit dhe të Kosovës.
“Kjo pllakë nuk është vetëm një shenjë përkujtimore në murin e një xhamie. Është një amanet i kujtesës, një dëshmi për brezat e rinj dhe një faqe e historisë së Irzniqit dhe Kosovës, e cila duhet të ruhet, të kujtohet dhe t’u përcillet brezave që do të vijnë”, thuhet në mesazhin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Deçan.
Sipas KBI-së në Deçan, Xhamia e Irzniqit nuk është rast i veçantë. Gjatë luftës së Kosovës, shumë xhami në zona të ndryshme të vendit shërbyen edhe si strehë për popullatën e dëbuar, vende ku u ofrua ndihmë për të plagosurit dhe hapësira të organizimit e të qëndresës. Në raste të caktuara, ato shërbyen edhe si shtabe dhe pika organizimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për Këshillin e Bashkësisë Islame në Deçan, ruajtja e kësaj trashëgimie dhe dokumentimi i ngjarjeve të lidhura me të është përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm. KBI-ja ka shprehur mirënjohje për OVL-UÇK-në, degën në Deçan, udhëheqjen e fshatit Irzniq, kontribuuesit në realizimin e pllakës përkujtimore, si dhe për qytetarët që morën pjesë në këtë ceremoni.
Vendosja e pllakës përkujtimore në Xhaminë e Irzniqit synon të mbajë të gjallë kujtesën për historinë e këtij objekti të vjetër fetar dhe për ngjarjet që e kanë shoqëruar atë gjatë një prej periudhave më të vështira në historinë e Kosovës.

