Nedim Bajrami është zyrtarisht futbollist i Al Taawoun, pasi klubi nga Arabia Saudite ka konfirmuar transferimin e mesfushorit shqiptar nga Rangers.
27-vjeçari transferohet në formë huazimi për një sezon, ndërsa marrëveshja përfshin edhe një opsion blerjeje prej 2.5 milionë paundësh.
Bajrami kishte mbetur jashtë planeve të klubit skocez dhe largimi i tij ishte paralajmëruar prej disa javësh. Me këtë transferim, ai synon të rikthejë formën dhe të ketë më shumë minuta në fushë.
Al Taawoun zgjodhi një mënyrë të veçantë për ta prezantuar përforcimin e ri. Në videon e publikuar në rrjetet sociale, klubi e cilësoi mesfushorin e Kombëtares shqiptare si “magjistarin”, duke vlerësuar cilësitë e tij teknike dhe kreativitetin në lojë.
Bajrami pritet t’i bashkohet menjëherë ekipit në përgatitjet për sezonin e ri, ku Al Taawoun synon të jetë konkurrues në elitën e futbollit saudit.

