Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të mërkurën, më 5 gusht 2026, do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30 dhe do të vlejë vetëm në autoudhët e Kosovës, për shkak të temperaturave të larta, të cilat parashikohet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.
Ministria ka bërë të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi i këtyre automjeteve do të lejohet pa kufizime.
Nga vendimi përjashtohen:
- automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike;
- automjetet e shërbimeve emergjente;
- automjetet e institucioneve shëndetësore.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve të rënda që të respektojnë kufizimin e vendosur dhe të planifikojnë lëvizjen e tyre në përputhje me orarin e përcaktuar.
Autoritetet theksojnë se masa synon mbrojtjen e infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
