Monumenti ikonik i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, është shndërruar sërish në qendër të reagimeve qytetare në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Sipas një komunikate të platformës “Liria ka Emër”, pas “burgosjes” simbolike me rrethoja hekuri dhe vendosjes së mbishkrimit “Kosova e burgosur!”, këtë mëngjes monumenti është mbuluar me 5 mijë emblema magnetike të UÇK-së.
“Aktivistët e platformës ‘Liria ka emër’, të cilët mbrëmë e rrethuan monumentin me hekura metalike, duke e kthyer në një imazh burgu, sot e kanë mbushur atë me emblema të UÇK-së”, thuhet në njoftim.
Eliza Hoxha nga organizata “Liria ka emër” ka deklaruar se ky aksion përbën reagim qytetar ndaj proceseve që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat, sipas saj, përbëjnë tendencë për rishkrim të historisë dhe cenim të luftës për liri.
Sipas organizatorëve, përfshirja e monumentit NEWBORN në këtë aktivitet simbolik synon të pasqyrojë ndjenjën e padrejtësisë që, sipas tyre, po përjetohet nga qytetarët në raport me zhvillimet gjyqësore aktuale.
NEWBORN, i zbuluar më 17 shkurt 2008, vazhdon të jetë një nga simbolet më të fuqishme të shtetësisë së Kosovës dhe çdo vit shndërrohet në hapësirë mesazhesh artistike dhe politike në përvjetorin e pavarësisë.

