Nga 1 tetori 2026 hyn në zbatim të plotë Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve të EFTA-s – Zvicrës, Lihtenshtajnit, Islandës dhe Norvegjisë.
Dogana e Kosovës ka njoftuar operatorët ekonomikë dhe palët e interesuara se, me hyrjen në fuqi të plotë të marrëveshjes, do të zbatohen edhe procedurat e përcaktuara për dëshmitë e origjinës dhe deklarimin doganor të mallrave që plotësojnë kushtet për trajtim preferencial.
Sipas Doganës, operatorët ekonomikë duhet t’u kushtojnë vëmendje këtyre ndryshimeve gjatë përgatitjes dhe deklarimit të mallrave në import.
Në veçanti, dokumentacioni që dëshmon origjinën e mallrave duhet të jetë në përputhje me kërkesat e marrëveshjes dhe rregullat doganore në fuqi, në mënyrë që mallrat që plotësojnë kushtet të mund të përfitojnë nga trajtimi preferencial tarifor.
Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje bizneseve që të sigurohen paraprakisht se dokumentet e origjinës dhe deklaratat doganore janë të sakta dhe të plota, me qëllim shmangien e pengesave gjatë procedurave të importit.
Marrëveshja Kosovë-EFTA përfshin katër shtetet anëtare të EFTA-s: Zvicrën, Lihtenshtajnin, Islandën dhe Norvegjinë, dhe synon krijimin e kushteve më të favorshme për tregtinë dhe qarkullimin e mallrave ndërmjet palëve.

