Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në orët e para të së martës në fshatin Cërrcë të Istogut.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti është raportuar rreth orës 00:02, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor, ekipi mjekësor dhe zjarrfikësit.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Të lënduarit janë dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës.
Megjithatë, pas trajtimit mjekësor është konstatuar vdekja e njërit prej të lënduarve. Njëri nga dy personat e tjerë të lënduar, për shkak të natyrës së plagëve, është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.
Rasti është duke u hetuar nga hetuesit e Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

