Në qendrat komunale të numërimit ka përfunduar procesimi i votave të kandidatëve për deputetë në mbi 80 për qind të vendvotimeve, duke dhënë një pasqyrë më të qartë jo vetëm për rezultatin e partive politike, por edhe për garën e brendshme mes kandidatëve.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani janë procesuar 2,020 vendvotime nga gjithsej 2,498, ose rreth 81 për qind e tyre.
Rezultatet preliminare tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me rreth 43 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me afër 18 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me rreth 7 për qind.
Bazuar në formulën D’Hondt dhe rezultatet aktuale, LVV-ja pritet të sigurojë 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24 deputetë, LDK-ja 20 deputetë, ndërsa Aleanca 8 deputetë.
Krahasuar me rezultatet e publikuara një ditë më parë, numri i votave për kandidatët është rritur ndjeshëm pas procesimit të mbi 600 vendvotimeve shtesë, por renditja e figurave kryesore në secilin subjekt ka mbetur pothuajse e pandryshuar.
Kurti dominon në LVV
Në Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurti vazhdon të jetë kandidati më i votuar me 191,565 vota, duke ruajtur një epërsi të konsiderueshme ndaj Glauk Konjufcës, i cili ka marrë 150,584 vota.
Pas tyre renditen Albulena Haxhiu me 87,521 vota, Hekuran Murati me 76,079 dhe Donika Gërvalla me 71,221 vota.
Rezultatet konfirmojnë se Kurti mbetet figura dominuese e partisë, ndërsa Konjufca forcon pozitën si emri i dytë më i votuar brenda LVV-së.
Hamza prin bindshëm në PDK
Në Partinë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka siguruar 96,730 vota, duke lënë pas Përparim Grudën me 59,629 vota.
Në mesin e kandidatëve më të votuar janë edhe Arian Tahiri me 51,541 vota dhe Uran Ismaili me 46,530 vota.
Rezultati tregon se Hamza ka konsoliduar pozicionin si figura kryesore e PDK-së, ndërsa Përparim Gruda vazhdon të mbetet një nga surprizat më të mëdha të zgjedhjeve me mbështetje të lartë elektorale.
Osmani dhe Abdixhiku në krye të LDK-së
Në LDK, Vjosa Osmani ka marrë 63,702 vota, duke mbetur kandidatja më e votuar e subjektit.
Pas saj renditet Lumir Abdixhiku me 57,857 vota, ndërsa Doarsa Kica-Xhelili ka siguruar 44,911 vota.
Në top 5-shen e LDK-së bëjnë pjesë edhe Hykmete Bajrami me 35,529 vota dhe Avdullah Hoti me 32,544 vota.
Rezultatet tregojnë se Osmani dhe Abdixhiku vazhdojnë të mbeten figurat kryesore të elektoratit të LDK-së.
Gjini para Haradinajt në Aleancë
Një nga zhvillimet më interesante vazhdon të mbetet renditja në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Ardian Gjini prin me 33,934 vota, duke lënë pas liderin e partisë, Ramush Haradinaj, i cili ka marrë 30,582 vota.
Pas tyre renditen Daut Haradinaj me 23,099 vota dhe Besnik Tahiri me 19,933 vota.
Rezultati i Gjinit konsiderohet ndër surprizat më të mëdha të zgjedhjeve, pasi ai vazhdon të ruajë epërsinë ndaj Haradinajt edhe pas numërimit të mbi 80 për qind të vendvotimeve.
Ndërkohë, KQZ-ja ka njoftuar se të enjten në ora 16:00 do të nisë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve procesi i numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike.
Në votimin fizik jashtë Kosovës, i mbajtur më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike, kanë votuar 22,414 qytetarë nga 27,724 të regjistruar, ose rreth 81 për qind e votuesve.

