Krustacea e automatizuar “zbret” në pajisjet mobile – dhe duket se kjo është vetëm fillimi.
OpenClaw, agjenti i inteligjencës artificiale me burim të hapur dhe falas, i cili tërhoqi vëmendje të madhe në internet në fillim të këtij viti, tashmë është zyrtarisht i disponueshëm si aplikacion në platformat iOS dhe Android. Lajmi u bë i ditur nga vetë zhvilluesit përmes platformës X të martën.
Në të dy sistemet operative, përdoruesit mund të lidhin telefonin e tyre me OpenClaw Gateway, një shtresë ndërmjetëse që shërben si urë lidhëse mes kërkesave të përdoruesit dhe agjentëve të inteligjencës artificiale, si dhe mjeteve që ata përdorin për të kryer detyra të ndryshme.
Në praktikë, kjo do të thotë se përdoruesit mund t’i kenë agjentët e tyre OpenClaw gjithmonë me vete në xhep. Kur janë të konfiguruar si duhet, ata mund të ndihmojnë në detyra të ndryshme – nga programimi deri te planifikimi i vakteve. Megjithatë, disa përdorues kanë raportuar rezultate të përziera, duke vënë në dukje se performanca nuk është gjithmonë e qëndrueshme.
OpenClaw u bë viral në fillim të vitit, në kohën e lançimit të MoltBook, një platformë rrjetesh sociale e konceptuar si e populluar plotësisht nga agjentë të inteligjencës artificiale. Më vonë, në shkurt, krijuesi i OpenClaw, Peter Steinberger, njoftoi se ishte bashkuar me OpenAI.
Megjithatë, projekti MoltBook më pas u përfshi në polemika, pasi studiuesit zbuluan se një pjesë e “agjentëve” ishin në fakt të imituar nga njerëz – një performancë digjitale që u interpretua si eksperiment, por që njëkohësisht shërbeu edhe si marketing për OpenClaw, duke ngritur pyetje mbi besueshmërinë e tij.
Pavarësisht kësaj, eksperimenti sinjalizoi drejtimin e ri të teknologjisë së agjentëve të IA-së, një fushë që po zgjerohet me shpejtësi dhe po integrohet gjithnjë e më shumë në jetën digjitale – përfshirë edhe telefonat inteligjentë të përdoruesve.

