Prokuroria Themelore në Mitrovicë në bashkëpunim me Policia e Kosovës kanë zhvilluar një operacion të gjerë kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, duke rezultuar me arrestimin e 34 personave të dyshuar.
Operacionet e koordinuara janë realizuar në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt, ku janë kontrolluar rreth 50 lokacione, përfshirë biznese dhe shtëpi private.
Gjatë aksionit, autoritetet kanë sekuestruar prova të shumta materiale, përfshirë rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri si dhe pajisje të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme.
Me vendim të prokurorit kompetent, 29 nga të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Veprime të ngjashme janë zhvilluar edhe në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione dhe janë arrestuar 8 persona, prej të cilëve 4 janë dërguar në mbajtje.
Autoritetet theksojnë se ky operacion përfaqëson një angazhim të fuqishëm institucional në luftën kundër krimit ekonomik dhe aktiviteteve të kundërligjshme që cenojnë sigurinë publike dhe rendin juridik.
Prokuroria dhe Policia kanë vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional si kyç për suksesin e këtij aksioni, ndërsa kanë bërë thirrje për qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.
