Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, gjatë një takimi me qytetarë në Ferizaj ka folur për çështjen e gazit amerikan, duke thënë se kundërshtimi i projekteve të tilla nuk ka vetëm dimension ekonomik, por edhe strategjik dhe gjeopolitik.
Ajo ngriti pyetjen se kujt po i shërbehet me refuzimin e projekteve energjetike amerikane, duke aluduar se një qasje e tillë mund të krijojë hapësirë për ndikime që nuk janë në interes të Kosovës.
“Pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes është, kur disa po i thonë jo gazit amerikan, kujt realisht janë duke i krijuar hapësirë? … Armiqve të Kosovës që janë kundër Kosovës”, është shprehur Osmani gjatë fjalimit të saj.
Deklarata u interpretua si kritikë ndaj qeverisjes së Albin Kurti, pasi debati për projektin e gazit amerikan ka qenë pjesë e diskutimeve gjatë mandatit të tij qeverisës.
Osmani shtoi se çështja e energjisë, sipas saj, duhet parë edhe në kontekstin e partneriteteve strategjike dhe orientimit ndërkombëtar të Kosovës, duke argumentuar se vendimet në këtë fushë ndikojnë jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në pozicionin politik dhe të sigurisë së vendit.

