Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump, së bashku me kryeministrin Edi Rama, është diskutuar çështja e Gjykatës Speciale në Hagë dhe proceset ndaj katër ish-liderëve të UÇK-së, për të cilët është kërkuar nga 45 vite burg për secilin.
Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Osmani u shpreh e rezervuar për detajet e diskutimit, por theksoi se janë marrë “garanci të fuqishme” nga presidenti amerikan.
“Kemi diskutuar. Ju kisha lutur për mirëkuptim. Nuk besoj që është në interes të Kosovës të japim më shumë detaje rreth kësaj. Por dua të siguroj që i kemi diskutuar të dyja temat dhe kemi marrë garanci të fuqishme. Kur të vijë momenti, edhe unë edhe kryeministri Rama do të flasim më në detaje”, tha ajo.
Osmani e cilësoi ditën si “jashtëzakonisht të mirë për Kosovën”, duke theksuar se pjesëmarrja e Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes i ka ngritur të dy shtetet në një nivel më të lartë të përfaqësimit ndërkombëtar.
Sipas saj, përfshirja në këtë forum, si dy vendet e vetme nga Ballkani Perëndimor, përbën një mundësi për thellim të bashkëpunimit me aleatët dhe për avancim të përpjekjeve për njohje të reja.
Çështja e Hagës u përmend edhe nga kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Uashington, ku ai kujtoi arrestimin e ish-presidentit Hashim Thaçi pak para një udhëtimi drejt SHBA-së për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë, duke përmendur edhe prokurorin Jack Smith.
Detaje të mëtejshme mbi diskutimet me palën amerikane pritet të bëhen publike në një moment të mëvonshëm, sipas deklarimeve të liderëve.

