OVL-UÇK ka reaguar ashpër pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar vendimin si një tjetër goditje të rëndë ndaj drejtësisë dhe të drejtave themelore të njeriut.
Në një komunikatë për media, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se mbajtja në paraburgim për afro gjashtë vjet pa një vendim përfundimtar nuk mund të konsiderohet më procedurë normale gjyqësore, por “dënim pa aktgjykim”.
“Gati gjashtë vjet paraburgim pa një vendim përfundimtar nuk është procedurë. Është dënim pa aktgjykim. Asnjë gjykatë e financuar në emër të demokracisë nuk mund të normalizojë një trajtim të tillë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e të cilëve i hapi rrugën lirisë dhe shtetësisë së Kosovës”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK vlerëson se zvarritja e procesit po dëmton rëndë besimin në drejtësi dhe po krijon perceptimin e një padrejtësie të vazhdueshme ndaj ish-drejtuesve të luftës çlirimtare. Sipas tyre, dinjiteti i të akuzuarve dhe i familjeve të tyre nuk duhet të mbahet peng nga shtyrje të pafundme procedurale.
“Vonesa thellon një padrejtësi të papranueshme dhe gërryen besueshmërinë e çdo institucioni që pretendon se mbron sundimin e ligjit. Dinjiteti i të akuzuarve, i familjeve të tyre dhe i popullit të cilit i shërbyen, nuk mund të mbahet peng i shtyrjeve të pafundme”, theksohet më tej në komunikatë.
Veteranët i kanë bërë thirrje shteteve perëndimore që financojnë dhe mbështesin Gjykatën Speciale të reagojnë ndaj, siç e quajnë ata, shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së.
“Kërkojmë që shtetet demokratike që financojnë dhe mbështesin këtë gjykatë të veprojnë menjëherë. Nuk duhet të lejojnë shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të atyre burrave që vendin nuk e kanë atje, por pranë familjeve dhe popullit të tyre”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.

