Ndërsa vëmendja e tifozëve është e përqendruar te yjet e futbollit, edhe gjyqtarët e 2026 FIFA World Cup do të përfitojnë shpërblime financiare rekord për angazhimin e tyre në turneun më të madh futbollistik në botë.
Sipas të dhënave të publikuara nga FIFA, çdo gjyqtar kryesor i përzgjedhur për Botërorin 2026 do të përfitojë një pagë bazë prej rreth 86 mijë eurosh, vetëm për pjesëmarrjen në fazën e grupeve. Kjo shumë pritet të rritet ndjeshëm për arbitrat që do të caktohen në ndeshjet e fazës me eliminim direkt.
Krahasuar me 2022 FIFA World Cup, kur gjyqtarët përfitonin rreth 60 mijë euro, shpërblimet në edicionin aktual paraqesin një rritje të konsiderueshme, duke reflektuar zgjerimin dhe rëndësinë gjithnjë e më të madhe të kompeticionit.
Përveç pagesës bazë, arbitrat do të marrin edhe bonuse shtesë për çdo ndeshje të drejtuar. Nga këto pagesa do të përfitojnë gjithashtu arbitrat asistentë dhe zyrtarët e sistemit VAR, të cilët kanë rol kyç në vendimmarrjen gjatë ndeshjeve.
Për Kupën e Botës 2026, FIFA ka përzgjedhur 52 gjyqtarë kryesorë, 88 arbitra asistentë dhe 30 zyrtarë VAR, të cilët do të menaxhojnë gjithsej 104 ndeshje gjatë turneut.
Ky paraqet një zgjerim të ndjeshëm krahasuar me edicionin e vitit 2022, kur në turne u zhvilluan 64 ndeshje, duke e bërë Botërorin 2026 edicionin më të madh në historinë e këtij kompeticioni.

