Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri për vitin 2024 ishte 77.5 mijë lekë, që i bie afërsisht 770 euro. Krahasuar me vitin 2023, kjo përfaqëson një rritje nominale prej 9.8%, ndërsa rritja reale, e indeksuar me inflacionin, ishte 7.6%.
Në një perspektivë më afatgjatë, që nga viti 2014 kur paga mesatare ishte 40.5 mijë lekë, ajo është rritur me 70% në terma nominalë dhe me 42.4% në vlera reale të indeksuara me inflacionin. Këto rritje janë ndikuar kryesisht nga politika e qeverisë shqiptare për të ristrukturuar pagat në administratën publike dhe për të kapur ritmet e vendeve të tjera të rajonit.
Rajoni ecën më shpejt: Shqipëria ende në fund të listës
Megjithatë, përkundër këtyre përpjekjeve, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për nivelin e pagave mesatare – përjashtuar Kosovën. Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, bazuar në institucionet statistikore të rajonit, tregojnë se:
-
Serbia ka pagën më të lartë mesatare me 1150 euro/muaj
-
Bosnja dhe Hercegovina me gati 1100 euro/muaj
-
Mali i Zi me 1083 euro/muaj
-
Maqedonia e Veriut me 1020 euro/muaj
-
Shqipëria me 770 euro/muaj (realisht vetëm 650 euro nëse përdoret kursi i vitit 2022 për të shmangur efektin e zhvlerësimit të euros)
-
Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon me pagë më të ulët se Shqipëria
Rënia e euros dhe inflacioni i lartë në tre vitet e fundit kanë ndikuar negativisht fuqinë reale blerëse të qytetarëve në Shqipëri, pavarësisht rritjes numerike të pagave.
Sektori publik vs. privat: një pabarazi në rritje
Të dhënat tregojnë se tregu i punës në Shqipëri është i shtrembëruar, me një diferencë gjithnjë e më të madhe mes pagave në sektorin publik dhe atij privat. Në vitin 2024, administrata paguhej mesatarisht 30% më shumë se sektori privat – një rritje nga diferenca prej 20% që ishte në fillim të vitit 2022.
Në Serbi, një ndarje e tillë nuk ekziston: sektori privat dhe ai publik ofrojnë paga pothuajse të barabarta, me mesatare prej 1100 euro/muaj. Ndërkohë, sektori privat në Shqipëri paguan mesatarisht vetëm 690 euro në muaj.
Edhe aksionet kundër informalitetit nga tatimet nuk kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të pagave në sektorin privat.