Parlamenti Evropian po shqyrton mundësinë për të bllokuar qasjen në faqet e mediave ruse Sputnik dhe RT në rrjetet dhe pajisjet e tij të brendshme, një masë që ka hapur debat të fortë mes grupeve politike për rrezikun e krijimit të një precedenti për kufizimin e mediave.
Diskutimi u zhvillua më 15 tetor gjatë takimit të udhëheqësve të grupeve politike, ku përfaqësues të grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), mes tyre eurodeputeti letonez Rihards Kols, kërkuan që faqet e propagandës ruse të ndaluara me sanksionet e BE-së të bëhen të paarritshme nga infrastruktura e Parlamentit.
Sipas Kolstit, ndalimi i aksesit ndaj platformave si RT, Sputnik, VGTRK dhe ANO TV Novosti do të ishte “një veprim i domosdoshëm për sigurinë e informacionit dhe për ruajtjen e besueshmërisë institucionale të Parlamentit Evropian në luftën kundër dezinformimit rus”. Ai shtoi se rregullatori kombëtar i medias në Letoni e ka ngritur këtë çështje edhe me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola.
Nëse miratohet, masa do të pasqyronte vendimin e mëparshëm të Parlamentit për ndalimin e aplikacionit TikTok në pajisjet dhe rrjetin e tij të brendshëm, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e të dhënave dhe ndikimin e huaj.
Megjithatë, disa udhëheqës të tjerë të grupeve politike kanë shprehur rezervat e tyre, duke paralajmëruar se një ndalim i tillë mund të krijojë precedent të rrezikshëm për kufizimin e mediave për arsye që nuk lidhen drejtpërdrejt me sigurinë. Ata gjithashtu përmendën sfidat teknike dhe ligjore që mund të shoqërojnë zbatimin e kësaj mase.
Zyra e Presidentes Metsola ka konfirmuar se çështja është nën shqyrtim, ndërsa po analizohet praktika e institucioneve të tjera të BE-së në trajtimin e mediave të sanksionuara. Një zgjidhje pritet të propozohet në të ardhmen e afërt, tha Kols.
Në një deklaratë për shtyp, Parlamenti Evropian nënvizoi se “mbrojtja e përdoruesve dhe e të dhënave të tyre është përparësi”, duke shtuar se institucionet e tij “vazhdojnë të zbatojnë masa për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe parandalimin e dezinformimit.”
Nëse propozimi miratohet, ai do të shënojë një hap të ri në përpjekjet e BE-së për të frenuar ndikimin e mediave ruse që konsiderohen si instrumente propagandistike të Kremlinit që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

