Pas humbjes së kryeministrit hungarez Viktor Orbán, Bashkimi Evropian po përballet me pyetje të vështira lidhur me procesin e anëtarësimit të Ukraina, një çështje që për vite me radhë ishte bllokuar nga vetoja e Budapestit.
Për gati dy vite, aspirata e Ukrainës për t’u bërë pjesë e BE-së ka mbetur e ngecur, jo për shkak të mungesës së progresit teknik, por për shkak të bllokadës politike. Tani, me ndryshimet në Hungari dhe pritshmëritë ndaj pasardhësit Péter Magyar, Brukseli shpreson në zhbllokimin e procesit dhe hapjen e kapitujve të parë të negociatave.
Megjithatë, kjo situatë ka nxjerrë në pah sfida të thella për BE-në. Pyetja kryesore që tashmë shtrohet është se si mund të pranohet një vend që është ende në luftë dhe ka një pjesë të territorit të pushtuar.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka kërkuar një “datë të qartë” për anëtarësim, por liderët evropianë janë treguar më të rezervuar. Ata theksojnë se procesi mbetet i bazuar në meritë dhe nuk mund të përshpejtohet përtej kushteve të vendosura.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka hedhur poshtë mundësinë e një anëtarësimi të shpejtë, duke e cilësuar jorealiste edhe një afat si viti 2028.
Sfida të tjera lidhen me ndikimin ekonomik dhe politik të Ukrainës në BE. Madhësia e saj, sektori i fuqishëm bujqësor dhe kostot e rindërtimit mund të ndryshojnë ndjeshëm politikat e fondeve evropiane dhe balancat e brendshme.
Po ashtu, ekzistojnë shqetësime për funksionimin e vendimmarrjes në BE, duke pasur parasysh përvojën me vetot e shteteve anëtare, si në rastin e Hungarisë.
Në këtë kontekst, janë propozuar ide alternative si integrimi gradual, një model “Evropë me disa nivele” apo përfshirja e Ukrainës në disa institucione pa të drejtë vote.
Megjithatë, zyrtarët evropianë theksojnë se çdo zgjidhje duhet të jetë realiste dhe të ruajë besueshmërinë e procesit, ndërsa vetë Zelenskyy ka bërë të qartë se nuk do të pranojë zgjidhje simbolike.
Debati mbi anëtarësimin e Ukrainës pritet të intensifikohet në muajt në vijim, duke u shndërruar në një nga testet më të mëdha politike dhe strategjike për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

