Kryetari i Aleancës në Prishtinë, Kreshnik Smajlaj, ka reaguar pas vdekjes tragjike të një të riu në një vendpunishte në Prishtinë, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe duke i uruar shërim të shpejtë punëtorit të lënduar.
Përmes një postimi në Facebook, Smajlaj tha se humbja e një jete të re në vendin e punës është një tragjedi që prek të gjithë shoqërinë dhe duhet të shërbejë si alarm për institucionet dhe qytetarët.
Ai kritikoi faktin se ngjarje të tilla po përdoren për përplasje politike, në vend që të shërbejnë si moment reflektimi për rritjen e sigurisë në punë.
“Është e dhimbshme të shohësh që edhe këto tragjedi janë bërë subjekt i luftës politike në Kosovë. Nuk është koha për të treguar me gisht se kush e ka fajin, por momenti i fundit që institucionet lokale dhe qendrore të ulen në një tryezë të përbashkët me ekspertët e fushës”, ka theksuar Smajlaj.
Sipas tij, të gjitha institucionet duhet të punojnë me urgjencë, në mënyrë profesionale dhe konstruktive, për të hartuar e zbatuar mekanizma konkretë që do të parandalojnë përsëritjen e rasteve të tilla.
Kreshnik Smajlaj bëri thirrje që siguria në punë dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve të shndërrohen në një prioritet të panegociueshëm kombëtar, duke theksuar se ndasitë politike duhet të lihen mënjanë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e jetës.
“Duhet të bashkohemi rreth një qëllimi: krijimit të një mjedisi të sigurt ku prindi, djali apo vajza nisen për punë dhe kthehen shëndosh e mirë në shtëpi. Siguria e punëtorëve dhe e qytetarëve tanë duhet të jetë prioritet mbi çdo interes tjetër”, ka përfunduar kryetari i Aleancës në Prishtinë, Kreshnik Smajlaj.

