Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mosrespektim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një reagim publik, PDK shprehet se afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për konstituimin e Kuvendit përfundon më 7 gusht, ndërsa vendimi për vazhdimin e seancës në ditën pasuese përbën, sipas saj, shkelje të rendit kushtetues.
Sipas PDK-së, në vend të respektimit të detyrimit kushtetues, shumica parlamentare vendosi që përmes deputetit më të vjetër, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive, ta shtyjë vazhdimin e saj për nesër, pasi afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të ketë skaduar.
Partia opozitare e cilëson këtë veprim si një precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor, duke theksuar se askush nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën.
Në reagim, PDK pretendon se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vendosur interesin partiak mbi interesin shtetëror dhe se vonesat në krijimin e institucioneve po prodhojnë pasiguri kushtetuese dhe politike.
Partia Demokratike e Kosovës thekson se Kushtetuta është themeli i rendit demokratik dhe juridik të shtetit, duke shtuar se do të vazhdojë të mbrojë rendin kushtetues dhe shtetin e së drejtës.
PDK gjithashtu bën thirrje për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, duke vlerësuar se Kosova ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale dhe respektim të plotë të Kushtetutës.

