Deputetët e PDK-së dhe AAK-së kanë bllokuar edhe sot hyrjen e objektit të Qeverisë së Kosovës, duke vazhduar aksionin e tyre në shenjë proteste ndaj moskonstituimit të institucioneve.
Ata po kërkojnë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimin e institucioneve të vendit.
Aktiviteti i PDK-së para objektit të Qeverisë është zhvilluar prej javësh, ndërsa në ditët e fundit aksionit i është bashkuar edhe Aleanca.
Ndërkohë, deputetët e PDK-së kanë paralajmëruar se në orën 11:00 do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Edhe kalendari i ngjarjeve për sot e konfirmon praninë e tyre në Kuvend në këtë orar.
Gjatë ditës së sotme, Grupi Parlamentar i PDK-së pritet të mbajë edhe konferencë për media, ku do të flitet për zhvillimet politike dhe kërkesat e opozitës. Konferenca është pjesë e aksionit të vazhdueshëm të PDK-së për rikthimin e procesit të konstituimit në Kuvend.

