Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar edhe të premten, për të shtatën ditë radhazi, aksionin protestues para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë kundërshtimi për mos-thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së iu bashkuan edhe deputetë të Aleancës, ndërsa në protestë morën pjesë edhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.
PDK-ja dhe Aleanca kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit, duke e konsideruar të domosdoshme kthimin e procesit në sallën e Kuvendit.
Bedrolli: Institucionet nuk duhet të mbahen të bllokuara
Asamblistja e PDK-së në Lipjan, Yllëza Bedrolli, tha se institucionet publike nuk duhet të mbahen të bllokuara dhe i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetit Albin Kurti që të kthehen në Kuvend.
Ajo tha se Kushtetuta duhet të jetë mbi çdo interes politik dhe kërkoi që institucionet të funksionalizohen.
“Nuk mundemi me leju me u blloku institucionet, nuk mundemi me leju që me u mbyll dyert e një institucioni publik siç është Kuvendi”, deklaroi Bedrolli.
Demaku: Zemërimi i qytetarëve do të rritet
Ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, e akuzoi Albin Kurtin për shkelje të Kushtetutës dhe të rendit juridik, duke paralajmëruar vazhdimin e kundërshtimit politik.
Demaku tha se, nëse situata vazhdon, zemërimi qytetar mund të rritet, ndërsa përgjegjësinë për pasojat ia atribuoi Kurtit.
Tahiri: Po kërkojmë vetëdijesim qytetar dhe politik
Në aksion mori pjesë edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, i cili tha se qëllimi i protestës është ngritja e vetëdijes qytetare dhe politike lidhur me situatën institucionale në vend.
Tahiri kritikoi gjithashtu ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga zyrtarë që janë zgjedhur deputetë, duke e cilësuar këtë si shkelje të rendit kushtetues.
PDK: Aksionet do të vazhdojnë
PDK-ja ka deklaruar se aksionet para ndërtesës së Qeverisë do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Partia opozitare e konsideron funksionalizimin e Kuvendit dhe konstituimin e institucioneve si çështje urgjente për tejkalimin e ngërçit aktual politik.

