Protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka përfunduar sot në Strasburg të Francës, pas disa orësh që nisi në orën 13:00.
Tubimi kishte për qëllim të shprehte mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë dhe të kërkonte “drejtësi të vërtetë për ata që luftuan për lirinë e Kosovës”.
Në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e OVL-së thanë se i kanë dërguar letra të gjithë anëtarëve të Asamblesë së Këshillit të Evropës, ku kanë ngritur shqetësime për mënyrën si po zhvillohet procesi gjyqësor në Hagë.
“Ne kërkojmë drejtësi, jo padrejtësi të mbështjellë me petkun e ligjit. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare”, thuhet ndër të tjera në reagimin e organizatorëve.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa simbolika kryesore ishte thirrja për lirimin e menjëhershëm të ish-drejtuesve të UÇK-së.
Të ngjashme me këtë, protesta mbështetëse janë mbajtur më herët edhe në Prishtinë, Tiranë dhe Hagë, duke treguar solidaritetin e shqiptarëve në të gjithë rajonin për çështjen e ish-komandantëve të luftës.

