Pesë persona janë arrestuar sot pasi përfshinë në një përleshje fizike në Ferizaj, ka bërë të ditur policia.
Ngjarja ndodhi sot pak pas mesnate, rreth në rrugën “12 Qershori”, në afërsi të dy lokaleve.
Policia tha se si pasojë e përleshjes, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej të lënduarve, për shkak të natyrës së lëndimeve, pas marrjes së tretmanit mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
“Lidhur me rastin, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast në orët e hershme të mëngjesit kanë arrestuar tre persona të dyshuar. Në vazhdim të hetimeve, gjatë ditës së sotme, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në rast”.
Gjatë intervistimit, njëri nga të dyshuarit ka pranuar se gjatë përleshjes kishte përdorur një kaçavidë, me të cilën dyshohet se ka goditur njërin nga personat e lënduar.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar një kaçavidë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit. Po ashtu, policia ka siguruar edhe një incizim të ngjarjes, i cili do t’i dorëzohet Prokurorisë Themelore si dëshmi materiale.
Pesë personat e arrestuar janë:
– D.A., 21 vjeç;
– E.A., 22 vjeç;
– A.N., 39 vjeç;
– O.A., 18 vjeç;
– A.A., 22 vjeç.
“Personi i lënduar, SH.A., 33 vjeç, i cili aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në QKUK, do të intervistohet nga hetuesit policorë pas stabilizimit të gjendjes së tij shëndetësore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që ndaj të dyshuarve të iniciohet rast për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje””.
Me vendim të prokurorit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Policia shtoi se hetuesit policorë janë duke i zgjeruar hetimet me qëllim të identifikimit dhe përfshirjes së personave të tjerë të mundshëm që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë rast.

