Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas publikimit të një analize nga profili anonim “Lule Gjeli” në KALLXO.com, duke e cilësuar rastin si një çështje serioze që, sipas tij, ngre dyshime për shkelje të standardeve etike dhe ligjore.
Në një reagim publik, Rama i ka bërë thirrje BIRN Kosovës, KALLXO.com, Internews Kosovës dhe drejtoreshës Jeta Xharra që të japin sqarime publike lidhur me bashkëpunimin me profilin në fjalë.
Ai ka ngritur pesë pyetje kryesore:
- Kush është autori që ka përdorur emrin “Lule Gjeli”?
- Çfarë bashkëpunimi tjetër ka pasur me këtë profil?
- Kur ka nisur dhe sa ka zgjatur bashkëpunimi, a është paguar autori dhe nga cilat fonde?
- A ka pasur ndonjë politikan të përfshirë në diskutimet për publikimin e opinioneve të këtij profili?
- A do t’u kërkohet falje personave që, sipas tij, janë dëmtuar nga publikimet e “Lule Gjelit”?
Rama ka deklaruar se pret një përgjigje publike deri të hënën, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, Komuna e Prishtinës do të rishqyrtojë çdo formë bashkëpunimi dhe mbështetjeje institucionale me BIRN Kosovën.
Sipas tij, nëse sqarimet nuk përmbushin standardet e transparencës dhe llogaridhënies që, sipas tij, meritojnë qytetarët, do të kërkojë ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me këtë organizatë.
Në fund të reagimit, Rama thekson se institucionet publike kanë detyrim të mbrojnë interesin publik dhe besimin e qytetarëve, duke shtuar se fondet dhe hapësirat publike duhet të administrohen vetëm në funksion të këtij interesi dhe se çdo dyshim serioz duhet të sqarohet në mënyrë transparente.

