Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë marrë pjesë në përurimin e investimeve të realizuara për rritjen e efiçiencës së energjisë në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “28 Nëntori” në komunën e Vitisë.
Investimi, në vlerë prej rreth 118 mijë eurosh, synon uljen e konsumit të energjisë, por edhe krijimin e kushteve më të mira dhe më të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Kurti tha se shkolla “28 Nëntori” është njëra nga pesë objektet e rinovuara në Viti, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, komunave dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
“Kjo është një prej pesë objekteve të rinovuara në Viti, në kuadër të Marrëveshjes së Qeverisë me komunat dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Në gjithë skemën, Qeveria po investon 3.8 milionë euro për rinovimin energjetik të 13 objekteve publike në katër komuna: në Viti, në Podujevë, në Lipjan dhe në Shtime, e këto 13 objekte po u shtohen 125 objekteve të rinovuara më herët në 21 komuna”, tha Kurti.
Sipas tij, investimet në efiçiencën e energjisë përveç kursimit të energjisë kontribuojnë edhe në përmirësimin e mjedisit ku zhvillohet procesi mësimor.
Kryeministri në detyrë ofroi mbështetjen e tij për nxënësit dhe mësimdhënësit, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e procesit arsimor.
Në fund, Kurti uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor dhe u shpreh për vazhdimin e mbështetjes për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe cilësisë së arsimit.

