Pesë persona janë arrestuar pas një ngjarjeje të rëndë të regjistruar në zonën e Radhimës në Vlorë, ku një grup personash të armatosur ka hyrë në ambientet e një resorti dhe ka kërcënuar biznesmenin Vasil Bedinaj.
Sipas policisë, në qendër të ngjarjes është një konflikt mes dy palëve, ndërsa po verifikohet edhe pista e një konflikti të mundshëm pronësor lidhur me një projekt investimi në jug të vendit.
Kërcënimi për 5 milionë euro
Sipas Policisë së Vlorës, biznesmeni Luan Muça, bashkë me persona të tjerë, ka shkuar në ambientet e resortit “Regina Palm”, në pronësi të Vasil Bedinajt.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar mbërritjen e disa automjeteve luksoze dhe hyrjen e një grupi personash në resort, disa prej të cilëve dyshohet se kanë qenë të armatosur.
Sipas policisë, Muça i ka kërkuar Bedinajt 5 milionë euro, ndërsa dyshohet se e ka kërcënuar edhe me largim nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Bedinaj ka njoftuar policinë rreth orës 11:30, pas së cilës janë ngritur postblloqe në disa akse rrugore në Vlorë, Fier, Himarë dhe Tepelenë.
“Range Rover”-i nuk iu bind postbllokut, më pas u përmbys
Gjatë kontrolleve, policia ka identifikuar një “Range Rover” të zi, i cili, sipas saj, nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi.
Pas ndjekjes nga policia, automjeti është përmbysur në zonën e Urës së Peshkëpisë.
Brenda automjetit ndodheshin Luan Muça dhe vëllezërit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj. Të tre janë arrestuar, ndërsa Muça dhe Mandrit Lleshaj kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital.
Sipas policisë, në automjet është gjetur edhe një pistoletë dhe një karikator me 16 fishekë.
Arrestohet edhe një shtetas kosovar
Rreth 30 minuta më vonë, në një tjetër postbllok në Fier, policia ka ndaluar një tjetër “Range Rover”, i cili dyshohet se ishte përdorur në ngjarjen në resort.
Brenda automjetit është gjetur shtetasi kosovar Blerim Heta, 40 vjeç, i cili është arrestuar.
Policia ka konstatuar edhe një shenjë plumbi në pjesën e përparme të automjetit.
Një “Audi A8” gjendet i djegur
Rreth orës 16:30, policia ka gjetur një tjetër automjet, një “Audi A8”, të përfshirë nga flakët në bypass-in e Vlorës, pranë Kaninës.
Sipas hetuesve, automjeti dyshohet se është përdorur nga persona të përfshirë në ngjarje.
Arrestohet edhe një person nga pala tjetër
Policia ka bërë të ditur se është arrestuar edhe Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë, i cili, sipas autoriteteve, i përket palës tjetër në konflikt.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu, tha se Breshani dyshohet se ka marrë një armë zjarri që i përkiste Vasil Bedinajt dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin në vendngjarje.
“Shtetasi Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i shtetasit Vasil Bedinaj dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty”, tha Ndreu.
Hetimet për konfliktin pronësor
Policia ka bërë të ditur se krahas ngjarjes së dhunshme po hetohet edhe një konflikt i mundshëm pronësor.
Sipas raportimeve, konflikti lidhet me një projekt të madh investimi në zonën e Palasës, ku kompania e lidhur me Luan Muçën ka marrë statusin e investitorit strategjik.
Autoritetet po verifikojnë pretendimet e palëve lidhur me dokumentacionin dhe të drejtat mbi pronën.
Pesë të arrestuar, gjashtë në kërkim
Deri tani, policia ka arrestuar pesë persona:
- Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;
- Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë;
- Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
- Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar;
- Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.
Ndërkohë, gjashtë persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa katër automjete dyshohet se kanë qenë të përfshira në ngjarje.
Çështja i është referuar Prokurorisë për veprat penale që lidhen me kanosjen për dhënie pasurie dhe armëmbajtjen pa leje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivin e konfliktit.

