Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar dhe ka konfiskuar 53 kilogramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë, me vlerë të përafërt prej 80 mijë eurosh në tregun vendor.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar më 16 tetor, rreth orës 21:40, pas disa muajsh hetime në kuadër të rastit të koduar “MALI”.
Operacioni është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Sektori Qendror, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Dyshohet se po përgatitej transporti i drogës jashtë vendit
Sipas Policisë, hetimet janë zhvilluar nën dyshimin se personat e përfshirë kanë kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Ata dyshohen se po përgatiteshin për transportimin e lëndës narkotike jashtë vendit.
Gjatë operacionit janë kontrolluar dy shtëpi dhe objektet përcjellëse. Sasia e dyshuar e marihuanës është gjetur në bagazhin e njërës prej veturave të kontrolluara.
Sekuestrohen edhe dy vetura dhe dy telefona
Në kuadër të operacionit, si prova materiale janë sekuestruar:
- 53 kilogramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë;
- Dy telefona mobilë;
- Dy automjete me targa vendore.
Operacioni është mbështetur nga dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Gjilan dhe Njësia Rajonale e Forenzikës, e cila ka fotografuar, evidentuar dhe mbledhur provat nga vendi i ngjarjes.
Të dyshuarit ndalohen për 48 orë
Policia bëri të ditur se dy të dyshuarit, me inicialet B.A., i lindur më 1988, dhe S.H., i lindur më 1971, të dy shtetas të Kosovës, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të dy janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.
Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

