Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë mesazhe të qarta dhe të fuqishme gjatë Samitit të nivelit të lartë të liderëve të shteteve të Evropës Juglindore, që po mbahet në kryeqytetin shqiptar.
Në një fjalim të mbajtur para krerëve të shteteve dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian, Presidentja Osmani theksoi se zgjerimi i BE-së nuk duhet të trajtohet si një akt bamirësie, por si një investim strategjik në të ardhmen e kontinentit.
“Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një proces bamirësie, por investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës,” theksoi Osmani, duke bërë thirrje për vendime konkrete dhe të drejta për Kosovën.
Ajo kërkoi heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës, të cilat, sipas saj, nuk i shërbejnë paqes, dialogut e as procesit të integrimit evropian.
“Qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng nga masa që i dëmtojnë drejtpërdrejt dhe që nuk i shërbejnë as paqes, as dialogut, e as të ardhmes evropiane të rajonit tonë,” theksoi Presidentja në fjalën e saj.
Osmani rikonfirmoi orientimin strategjik të Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, duke e cilësuar anëtarësimin në BE dhe NATO si synim të palëkundur dhe pjesë të natyrshme të identitetit politik e gjeostrategjik të vendit.
“Orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike,” përfundoi Presidentja Osmani.
Gjatë samitit, ajo falënderoi Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për mikpritjen dhe rolin udhëheqës në organizimin e takimit rajonal, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit në funksion të një të ardhmeje të përbashkët evropiane.