Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar në kuadër të hetimeve për rastin “Laboratori ‘25”.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari me inicialet S.D. është paraqitur vullnetarisht gjatë ditës së sotme në Policinë e Kosovës në Prishtinë, në lidhje me rastin që po hetohet nga autoritetet.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se personi me inicialet S.D. është paraqitur sot vullnetarisht në Policinë e Kosovës në Prishtinë, lidhur me rastin që është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.
Megjithëse detaje shtesë për rolin e të dyshuarit apo natyrën e saktë të akuzave nuk janë bërë publike, Prokuroria ka konfirmuar se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, në përputhje me procedurat ligjore.
Rasti “Laboratori ‘25” mbetet nën hetime nga organet e drejtësisë, ndërsa pritet që në orët apo ditët në vijim të ketë më shumë informacion rreth zhvillimeve të reja.

