Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, B.R., B.H., R.Q. dhe N.L., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me një kontratë publike për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës.
Sipas aktakuzës, veprimet për të cilat akuzohen të pandehurit kanë ndodhur gjatë periudhës nga 2 gushti 2017 deri më 26 nëntor 2020, në Prishtinë, në kohën kur ata ushtronin detyra zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës.
Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe nuk i kanë përmbushur detyrimet zyrtare gjatë inicimit, procedurave të prokurimit, menaxhimit, autorizimit, certifikimit dhe pagesës së kontratës publike “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.
Në qendër të aktakuzës është diferenca e madhe ndërmjet vlerës së parashikuar të aktivitetit të prokurimit dhe shumës së pagesave të realizuara. Sipas Prokurorisë Speciale, aktiviteti ishte iniciuar me një vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat totale të realizuara në kuadër të kontratës kanë arritur në 5,377,058.07 euro.
Prokuroria pretendon gjithashtu se janë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të përcaktuara në dosjen e tenderit. Sipas aktakuzës, këto punime janë realizuar pa aneks-kontratë, pa zhvillimin e një procedure të re të prokurimit dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni për pranimin e punëve.
Të pandehurit, sipas aktakuzës, kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik, Rregullores dhe Udhëzimit Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimin e Parasë Publike.
Përveç dënimit për veprën penale për të cilën akuzohen, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
Çështja tashmë i është dorëzuar Gjykatës, ndërsa pretendimet e përfshira në aktakuzë do t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor. Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me një vendim përfundimtar gjyqësor.

