Pakënaqësia sociale në Francë po vazhdon, ndërsa qytetarët janë mobilizuar për një valë të re protestash këtë të shtunë, për të katërtën fundjavë radhazi.
Demonstratat pritet të zhvillohen nën masa të shtuara sigurie, veçanërisht në Paris, ku lëvizja e “Jelekëve të Verdhë” synon të afrohet pranë institucioneve kryesore të pushtetit.
Protestat vijnë vetëm dy ditë pas një mobilizimi mbarëkombëtar të organizuar nga sindikatat, ku qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar rritjen e fuqisë blerëse dhe përmirësimin e kushteve ekonomike.
Sipas autoriteteve franceze, në demonstratat e së enjtes morën pjesë rreth 575 mijë persona, ndërsa sindikata CGT pretendon se numri i protestuesve arriti në 1.6 milionë.
Presion ndaj qeverisë për rritjen e pagave
Mobilizimi i kësaj të shtune synon të mbajë presionin ndaj qeverisë, dy ditë para dialogut social që do të zhvillohet të hënën mes sindikatave dhe përfaqësuesve të punëdhënësve.
Në agjendë janë paraparë edhe takime me organizatat e nxënësve dhe studentëve.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, në një letër drejtuar partnerëve socialë, ka deklaruar se qeveria po i dëgjon kërkesat për paga më të larta dhe rritje të fuqisë blerëse, si dhe shqetësimet e punëdhënësve.
Sipas tij, dialogu duhet të sjellë përgjigje konkrete ndaj pritshmërive të qytetarëve francezë.
Ndërkohë, organizatat rinore dhe disa struktura sindikale rajonale kanë bërë thirrje për një marshim kundër rritjes së kostos së jetesës dhe në mbështetje të të rinjve.
Demonstrata e autorizuar në Paris do të zhvillohet përgjatë itinerarit që lidh sheshet “Republika” dhe “Kombi”.
“Jelekët e Verdhë” kërkojnë mosbindje civile
Në anën tjetër, lëvizja e “Jelekëve të Verdhë” ka vendosur të organizojë një protestë të veçantë, duke u distancuar nga sindikatat.
Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje kanë bërë thirrje për grumbullim në sheshin Concorde në Paris, ndonëse autoritetet nuk kanë dhënë leje për këtë aktivitet.
Benjamin Ball, një prej përfaqësuesve të lëvizjes, ka deklaruar se protestuesit do të mblidhen në sheshin Concorde në orën 14:00 dhe do të qëndrojnë deri në orën 19:00. Ai ka bërë thirrje për mosbindje civile masive.
Zgjedhja e këtij sheshi nuk është e rastësishme. Sipas avokatit të lëvizjes, David Libeskind, Concorde ka rëndësi simbolike për shkak të afërsisë me Asamblenë Kombëtare dhe institucionet e pushtetit, pasi kërkesat e protestuesve kanë edhe karakter politik.
Në të gjithë Francën, “Jelekët e Verdhë” parashikojnë rreth 120 tubime gjatë ditës së sotme. Kjo shifër është dukshëm më e ulët krahasuar me rreth 1 mijë e 700 protestat e regjistruara më 17 tetor.
70 mijë policë dhe xhandarë angazhohen në terren
Pas demonstratave të së enjtes, të cilat Ministria e Brendshme i cilësoi përgjithësisht të qeta, autoritetet franceze synojnë të parandalojnë përsëritjen e skenave të dhunës dhe plaçkitjeve të regjistruara më 17 tetor, gjatë fundjavës së parë të protestave.
Për këtë arsye, masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, ka njoftuar se në të gjithë territorin e vendit janë angazhuar rreth 70 mijë policë dhe xhandarë për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestave.
Autoritetet po e përcjellin me vëmendje situatën, veçanërisht në Paris, ku pritet të përqendrohet një pjesë e rëndësishme e mobilizimit të protestuesve.

