Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të premten, më 20 shkurt 2026, do të realizohen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik dhe projekte investive në disa rajone të vendit. Si pasojë, në zona të caktuara do të ketë ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
Rajoni i Prishtinës
Në Drenas, nga NS 220/10kV, do të ketë ndërprerje në daljen 10kV Drenasi 3 nga ora 10:00 deri në 15:00, si dhe në daljen 10kV Çikatova nga ora 11:00 deri në 16:00. Punimet lidhen me zhvendosje të daljeve dhe përfshijnë zona si Çikatova, Gllanasella, Dobrashevci dhe pjesë të qytetit të Drenasit.
Nga NS 110/10(20)kV Prishtina 5, dalja 10kV J06 Rezervaret-KFOR do të ndërpritet nga ora 09:00 deri në 17:00, duke prekur Bardhoshin, Bërnicën e Ulët, Barilevën, Prugovcin dhe zona përreth, për shkak të projekteve investive në rrjet.
Rajoni i Pejës
Nga NS 110/10kV Deçani, dalja 10kV J29 Barani do të ndërpritet nga ora 09:30 deri në 17:00. Ndërprerja prek disa fshatra si Barani, Prapaqani, Krushevci i Ri, Vranoci i Madh e i Vogël dhe zona të tjera. Arsyeja është ndërrimi i shkarkuesve dhe përgatitja për kthimin e daljes në nivel tensioni 20kV.
Rajoni i Prizrenit
Nga NS 35/10kV Zhuri, dalja 10kV Hoqa e Qytetit do të ndërpritet nga ora 10:00 deri në 15:00. Punimet përfshijnë zhvendosjen e përçuesve në shtylla të reja dhe prekin Hoqën e Qytetit, Billushën, Jeshkovën, Leskovecin dhe zona përreth.
Rajoni i Ferizajt
Nga TS 110/35/10kV Ferizaj 1 (Bibaj), do të ndërpriten disa nënstacione nga ora 10:00 deri në 13:00 për shkak të një riparimi urgjent në TR2 L3. Ndërprerja prek zona të shumta në Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe fshatra përreth, përfshirë biznese private dhe institucione publike.
Po ashtu, nga NS 35/10kV Kaçaniku II do të ketë ndërprerje nga ora 09:00 deri në 18:00 në disa fshatra të Kaçanikut për shkak të vendosjes në punë të rrjetit të ri. Ndërsa nga NS 110/35/10kV Ferizaj 1, dalja 10kV J14 Rahovica do të ndërpritet nga ora 09:00 deri në 13:00 për shkak të punimeve nga pala e tretë.
Rajoni i Gjakovës
Nga NS 35/10kV Malisheva do të ketë tri ndërprerje të njëpasnjëshme në daljet 20kV J03 Bellanica (11:00–12:00), J04 Carralluka (12:00–13:00) dhe J05 Banja (13:00–14:00). Ndërprerjet realizohen për testim të mbrojtjes rele dhe prekin disa fshatra dhe rrugë në zonën e Malishevës.
Rajoni i Gjilanit
Nga NS 35/10kV Lladovë, dalja 10kV J06 Zhegra do të ndërpritet nga ora 10:00 deri në 14:00 për shkak të pastrimit të trasës së rrjetit të tensionit të mesëm. Po ashtu, nga TS 110/35/10kV Gjilani 1, dalja 10kV Përlepnicë do të ndërpritet nga ora 10:30 deri në 14:30 për shkak të vendosjes së një shtylle të re dhe zhvendosjes së daljeve.
KEDS u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të planifikojnë aktivitetet e tyre sipas orarit të paralajmëruar dhe falënderon për mirëkuptimin gjatë realizimit të punimeve që synojnë rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të furnizimit me energji elektrike.

