Qeveria e Kosovës do të mbajë sot, të mërkurën, mbledhjen e tetë, e cila do të nisë në orën 08:00. Në rend dite janë gjithsej 12 pika, që përfshijnë marrëveshje ndërkombëtare, çështje të shkencës dhe mjedisit, si dhe projekte infrastrukturore.
Ndër çështjet kryesore që pritet të shqyrtohen janë projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve me Suedinë për ekstradim, ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.
Në rend dite është edhe traktati me Belgjikën për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Ministrat pritet të shqyrtojnë gjithashtu propozimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2025 dhe draft-raportin për vlerësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Një pjesë e mbledhjes do t’u kushtohet edhe propozimeve për shpronësimin e pronave që preken nga projektet infrastrukturore, përfshirë:
- Rrugën Korishë–Kabash;
- Rrugën tranzit në Klinë;
- Segmentin Banullë–Bresalc të autostradës Prishtinë–Gjilan–Dheu i Bardhë.
Vendimet për këto pika pritet të bëhen të ditura pas përfundimit të mbledhjes.

