Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka krahasuar zhvillimin e Malësisë së Madhe dhe Përmetit gjatë dekadës së fundit, duke thënë se dikur këto zona dukeshin pa perspektivë, ndërsa sot janë shndërruar në destinacione të Shqipërisë së re. Ai tha se ky transformim është arritur me shumë mund, pavarësisht kritikave dhe protestave në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ka vënë në pah ndryshimet që, sipas tij, kanë ndodhur në Malësinë e Madhe dhe Përmet gjatë dhjetë viteve të fundit, duke i paraqitur këto dy zona si shembuj të transformimit të Shqipërisë.
Në episodin e pestë të sezonit të shtatë të podcast-it të tij “Flasim”, Rama tha se një dekadë më parë, të dyja zonat perceptoheshin si vende të largëta, pa shumë arsye për t’u vizituar dhe me pak perspektivë për banorët e tyre.
Sipas tij, sot Malësia e Madhe dhe Përmeti janë shndërruar në destinacione që përfaqësojnë një Shqipëri ndryshe nga ajo e së kaluarës.
Rama: Dikur dukeshin si vende pa shpresë
Duke kujtuar kohën para se të merrte detyrën e kryeministrit, Rama tha se, për shkak të funksioneve që kishte ushtruar më herët, kishte udhëtuar nëpër Shqipëri dhe i njihte nga afër gjendjen e këtyre zonave.
Ai pretendoi se dikur ato përballeshin me mungesë perspektive, ndërsa largimi i banorëve dukej si një prirje e pashmangshme.
“Qoftë Malësia, qoftë Përmeti ngjanin si vende pa shpresë, ky kush ishte aty ishte thjesht ende aty, por të nesërmen s’do të ishte më aty”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, në të kaluarën njerëzit i vizitonin këto zona kryesisht për arsye familjare, për dasma apo raste mortore, ndërsa ato nuk shiheshin si destinacione që mund të tërhiqnin vizitorë për turizëm.
“Shqipëria e re është ndërtuar me shumë mund”
Rama argumentoi se ndryshimet e ndodhura gjatë dhjetëvjeçarit të fundit kanë ndryshuar mënyrën se si perceptohen këto zona, duke i cilësuar sot si pjesë të Shqipërisë së re.
“Sot janë dy destinacione të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër që kemi ndërtuar me shumë mund”, deklaroi kryeministri.
Ai kritikoi gjithashtu klimën e debatit publik në Tiranë, duke pretenduar se protestat dhe diskutimet në rrjetet sociale e në media shpesh e mbulojnë, sipas tij, punën dhe rezultatet e arritura në pjesë të tjera të vendit.
“Ndërkohë që nga bulevardi i Tiranës shumëçka mbulohet me retë artificiale të kanaleve sociale dhe të ekraneve”, tha Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në kuadër të përpjekjeve të tij për të vënë në pah zhvillimet në zonat jashtë qendrave të mëdha urbane dhe për të mbrojtur bilancin e punës së qeverisë gjatë viteve të fundit.

