Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e nisi vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, ku foli për politikat e reja ndaj diasporës, integrimin europian, hapjen e një konsullate shqiptare në Detroit dhe vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së.
Gjatë takimit, Rama njoftoi se ka nisur zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2030, ndërsa bëri të ditur se po krijohet edhe Regjistri Kombëtar i Diasporës.
Sipas Ramës, regjistri synon të shërbejë si një sportel unik për shqiptarët jashtë vendit, përmes të cilit ata do të mund të lidhen më lehtë me institucionet shqiptare. Ai tha gjithashtu se do të krijohen mekanizma të posaçëm për investitorët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
“Po krijojmë Regjistrin Kombëtar të Diasporës, një sportel unik ku çdo shqiptar e gjen shtetin e vet me një klik”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se marrëdhënia e shtetit shqiptar me diasporën duhet të ndryshojë, duke e konsideruar atë jo vetëm si burim remitancash, por edhe si një potencial për investime, bashkëpunim dhe zhvillim.
Në këtë kuadër, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, njoftoi se së shpejti do të hapet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Detroit. Sipas tij, konsullata synon të ofrojë shërbime më të mira për komunitetin shqiptar dhe të forcojë lidhjet ekonomike e tregtare me Michiganin.
Rama për vendimin e Hagës
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Ramës iu kushtua edhe vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Thaçi u dënua me 25 vjet burg, ndërsa tre të akuzuarit e tjerë morën dënime nga 13 deri në 25 vjet. Gjykata i dënoi për vepra penale që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar; akuzat për disa krime kundër njerëzimit nuk u provuan në kuadër të aktgjykimit.
Rama e cilësoi vendimin si një “varrosje për së gjalli” të katër ish-krerëve të UÇK-së dhe tha se Shqipëria do të vazhdojë t’i qëndrojë në krah Kosovës.
“Vendimet e gjykatave duhen respektuar, por problemi nuk është si të mos respektosh vendimin e gjykatës, por si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve”, tha Rama.
Sipas tij, Shqipëria nuk mund të vendosë në emër të institucioneve të Kosovës, por ato duhet të përcaktojnë mënyrën se si do të reagojnë ndaj vendimit.
“Shqipëria nuk është më vend mbijetese”
Në fjalën para shqiptarëve në Michigan, Rama foli edhe për ndryshimet ekonomike dhe sociale në Shqipëri.
Ai tha se Shqipëria nuk duhet të shihet më si një vend ku diaspora dërgon para kryesisht për nevoja të mbijetesës, por si një vend ku mund të investohet dhe të ndërtohen mundësi të reja.
Rama e përshkroi vendin si një “kantier në transformim” dhe u tha shqiptarëve të diasporës se nga jashtë mund të shohin më qartë ndryshimet që po ndodhin në Shqipëri.
Ai foli gjithashtu për procesin e integrimit europian, duke përsëritur objektivin e Shqipërisë për përmbylljen e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Në fund të takimit, Rama u ndal edhe te protesta e zhvilluar në Shqipëri rreth flamingos së Zvërnecit, duke e paraqitur atë si shembull të rritjes së kërkesave të shoqërisë shqiptare për mbrojtjen e mjedisit dhe standarde më të larta në zhvillim.
Vizita e Ramës në SHBA vijon në New York, ku ai merr pjesë në aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
