Kryeministri shqiptar Edi Rama ka nisur sezonin e ri politik me një seri takimesh në Pogradec, ku gjatë dy ditëve do të zhvillojë diskutime me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Në ambientet e rezidencave qeveritare në Pogradec, Rama do të zhvillojë sot takime me drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët pritet të raportojnë për situatën politike dhe organizative në zonat që mbulojnë.
Të hënën, kryeministri do të mbledhë ministrat e kabinetit qeveritar. Në fokus të takimit pritet të jetë puna e deritanishme, rezultatet e arritura dhe prioritetet për vitin e dytë të mandatit të katërt qeverisës.
Takime të tilla informale janë kthyer në një praktikë të përvitshme për Ramën në nisje të sezonit të ri politik, pas përfundimit të pushimeve verore.
Në shtator pritet mbledhja e Asamblesë së PS-së
Pas takimeve në Pogradec, në ditët e para të shtatorit pritet të mblidhet edhe Asambleja e Partisë Socialiste.
Mbledhja e këtij forumi partiak është veçanërisht e rëndësishme, pasi Rama e ka përdorur në të kaluarën për të paralajmëruar ose njoftuar ndryshime në qeveri dhe në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.
Takimet e kësaj fundvere zhvillohen pas një sezoni të tensionuar politik në Shqipëri, i shoqëruar me protesta të opozitës dhe të qytetarëve, si dhe me kërkesa të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Në këtë kuadër, takimet e Pogradecit pritet të shërbejnë edhe për përcaktimin e prioriteteve politike dhe qeverisëse për muajt e ardhshëm.

