Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të prezantojë sot një mundësi të re komunikimi online me qytetarët që kanë shqetësime konkrete. Nisma vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë po vazhdojnë në Tiranë.
Rama e bëri të ditur këtë paralajmërim gjatë një konference të përbashkët për media me ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri foli edhe për përpjekjet për të zhvilluar takime me grupe studentësh, duke pretenduar se tre grupe prej tyre janë përballur me presion dhe bullizim, si në hapësirën online, ashtu edhe jashtë saj.
Sipas Ramës, këto grupe janë tërhequr nga takimet e planifikuara me të pas kërcënimeve nga persona që ai i cilësoi si “pseudo-studentë”.
“Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline, në përpjekjet e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh, me emra dhe mbiemra. Pastaj të bullizuar në ekstrem”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se platforma e re do të shërbejë si një kanal komunikimi për qytetarët që dëshirojnë të bashkëbisedojnë drejtpërdrejt me të dhe me qeverinë.
Ndërkohë, lidhur me kërkesat e protestuesve për largimin e tij nga detyra, Rama përsëriti qëndrimin se dorëheqja nuk mund të imponohet përmes protestave në rrugë.

