Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Raporti i auditimit trondit UKZ-në, rektori Artan Dermaku jep dorëheqje

Qendra Info by Qendra Info
31/07/2026
in Lajme
0
Raporti i auditimit trondit UKZ-në, rektori Artan Dermaku jep dorëheqje
0
SHARES
1.3k
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Universiteti “Kadri Zeka” po kalon një nga periudhat më të trazuara që nga themelimi i tij. Artan Dermaku ka dhënë dorëheqje nga posti i rektorit, ndërsa njëkohësisht është larguar edhe nga pozita e profesorit në universitet. Dorëheqja vjen në një moment kur institucioni është përballur me kritika të shumta për keqmenaxhim, ndërsa raporti i auditimit të Ministrisë së Arsimit ka evidentuar një sërë parregullsish administrative dhe financiare në funksionimin e universitetit.

Sipas burimeve të Qendra.info, raporti i auditimit ka nxjerrë në pah një varg gjetjesh që lidhen me mënyrën e administrimit të universitetit, ndërsa keqmenaxhimi i institucionit ka qenë një nga çështjet që ka dominuar debatin publik gjatë viteve të fundit.

Burime të Qendra.info bëjnë të ditur se Ministria e Arsimit u ka dërguar një shkresë anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke kërkuar që të ndërmerren veprime në përputhje me normat ligjore dhe statutore ndaj përgjegjësve për shkeljet e konstatuara nga auditori. Pikërisht kjo lëvizje, sipas të njëjtave burime, i ka paraprirë dorëheqjes së Dermakut dhe konsiderohet si një sinjal i qartë se Ministria nuk ishte e gatshme të toleronte më keqmenaxhimin e evidentuar në raport.

Nëse ky zhvillim konfirmohet edhe përmes veprimeve të mëtejshme institucionale, atëherë rasti i Universitetit “Kadri Zeka” mund të shënojë fillimin e një qasjeje më të ashpër ndaj rasteve të keqmenaxhimit në universitetet publike. Kjo ngre edhe një pyetje të rëndësishme: A do të vazhdojë Ministria e Arsimit me të njëjtën linjë edhe ndaj universiteteve të tjera publike ku auditimet kanë evidentuar probleme serioze në menaxhim, apo rasti i UKZ-së do të mbetet një përjashtim?

Më 31 korrik 2026, në një mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli Drejtues miratoi dorëheqjen e tij. Megjithatë, largimi nga detyra nuk i ka shuar dilemat që janë ngritur rreth mënyrës së menaxhimit të universitetit gjatë mandatit të tij.

Pyetja kryesore që shtrohet tani është: A do të mbeten vetëm në letër gjetjet e auditorit apo organet kompetente do të ndërmarrin hetime dhe veprime konkrete ndaj përgjegjësve institucionalë?

Një mandat i shoqëruar me polemika dhe akuza për keqmenaxhim dhe mungesë e aftësive menaxheriale

Zgjedhja e Artan Dermakut në krye të Universitetit “Kadri Zeka” ishte shoqëruar që në fillim me kontestime. Në debatin publik ishte ngritur pretendimi se ai ishte një prurje politike e Lëvizjes Vetëvendosje, me pritshmërinë se do të sillte reforma dhe një standard të ri në qeverisjen universitare. Megjithatë, sipas kritikëve dhe burimeve të Qendra.info, rezultatet e mandatit të tij nuk arritën t’i përmbushnin këto pritshmëri. Përkundrazi, universiteti u përball me akuza të vazhdueshme për keqmenaxhim, vendimmarrje të kontestuara dhe një klimë të tensionuar brenda institucionit.

Zhvillimet e fundit kanë hapur një debat më të gjerë edhe për raportin ndërmjet politikës dhe përgjegjësisë institucionale. Sipas burimeve të Qendra.info, veprimet e Ministrisë së Arsimit dhe shkresa drejtuar Këshillit Drejtues sinjalizojnë një qasje më aktive ndaj rasteve të keqmenaxhimit në institucionet publike. Nëse kjo qasje konfirmohet edhe në praktikë, atëherë krijohet përshtypja se Ministria e Arsimit po vendos parimin e llogaridhënies mbi konsideratat politike. Me fjalë të tjera, edhe në rastet kur një drejtues është perceptuar në opinion si emërim apo prurje politike, kjo nuk do të përbënte mburojë përballë përgjegjësisë nëse evidentohen raste të keqmenaxhimit.

Një qasje e tillë, nëse zbatohet në mënyrë të barabartë dhe pa standarde të dyfishta, mund të konsiderohet si një frymë e re në qeverisjen e institucioneve publike, ku prioritet merr performanca, ligjshmëria dhe përgjegjësia institucionale, e jo mbështetja politike.

Gjatë mandatit të tij, universiteti u përball me një sërë krizash institucionale, ndër të cilat përmenden:

  • humbja e disa programeve studimore;
  • tensione dhe konflikte me stafin akademik;
  • polemika të vazhdueshme brenda menaxhmentit;
  • kontestime lidhur me emërime dhe avancime në strukturat drejtuese;
  • pretendime për rekrutime të diskutueshme të stafit akademik;
  • mungesë të programeve të reja të harmonizuara me kërkesat e tregut të punës;
  • performancë të dobët në renditjet universitare;
  • kritika të vazhdueshme për keqmenaxhim administrativ dhe organizativ.
  • mungesë e kompetencave menaxheriale.

Një nga çështjet që ka nxitur debat ishte edhe emërimi i një prorektori për një mandat të tretë, ndonëse është pretenduar se Statuti i universitetit e lidh mandatin e prorektorit me mandatin e rektorit dhe kufizon ushtrimin e kësaj detyre në dy mandate katërvjeçare. Mbetet që organet kompetente të vlerësojnë nëse në këtë rast ka pasur shkelje statutore apo ligjore.

Raporti i auditimit në qendër të vëmendjes

Raporti i auditimit ka rikthyer në fokus mënyrën e administrimit të universitetit, duke evidentuar një numër të konsiderueshëm gjetjesh dhe parregullsish financiare e administrative. Sipas burimeve të Qendra.info, pritet që këto gjetje të trajtohen nga institucionet përgjegjëse dhe të shërbejnë si bazë për vlerësimin e përgjegjësisë së menaxhmentit.

Në opinionin publik tashmë po shtrohen disa pyetje thelbësore:

  • Kush do të mbajë përgjegjësi për shkeljet e evidentuara nga auditori?
  • A do të ketë hetime nga organet kompetente?
  • A do të mbeten përgjegjësitë vetëm në nivel administrativ apo do të ketë pasoja ligjore për personat përgjegjës?
  • A do të vazhdojë Ministria e Arsimit me të njëjtën qasje edhe ndaj universiteteve të tjera publike ku auditimet kanë evidentuar keqmenaxhim dhe shkelje të ngjashme?

Një universitet në kërkim të një fillimi të ri

Mandati i Artan Dermakut ishte prezantuar fillimisht si ardhja e një kuadri me përvojë ndërkombëtare dhe me premtime për reforma institucionale. Megjithatë, sipas kritikëve dhe burimeve të Qendra.info, rezultatet nuk arritën të përmbushnin këto pritshmëri. Humbja e programeve studimore, konfliktet e brendshme, akuzat për keqmenaxhim, polemikat për vendimmarrjen dhe performanca e dobët e universitetit në renditjet akademike kanë qenë ndër temat që kanë dominuar debatin publik gjatë viteve të fundit.

Tashmë, pas dorëheqjes së rektorit, vëmendja është zhvendosur te institucionet përgjegjëse. Ato pritet të sqarojnë nëse gjetjet e auditimit do të përkthehen në përgjegjësi konkrete apo nëse kjo çështje do të mbyllet vetëm me largimin e drejtuesit të universitetit. Burime të Qendra.info bëjnë të ditur se zhvillimet e ditëve në vijim pritet të jenë vendimtare jo vetëm për të ardhmen e Universitetit “Kadri Zeka”, por edhe për të kuptuar nëse Ministria e Arsimit do ta shtrijë këtë qasje edhe ndaj universiteteve të tjera publike ku raportet e auditimit kanë evidentuar keqmenaxhim, parregullsi dhe probleme serioze në qeverisje.

Related

Previous Post

Britania investon 8.4 miliardë paund në programin e nëndetëseve bërthamore Dreadnought

Next Post

Kërcënimet e organizatës “Severna brigada” ndaj zyrtarëve, Policia nis hetimet.

Next Post
Kërcënimet e organizatës “Severna brigada” ndaj zyrtarëve, Policia nis hetimet.

Kërcënimet e organizatës “Severna brigada” ndaj zyrtarëve, Policia nis hetimet.

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.